Kryeministri shqiptar Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme paketën e re antikrizë nisur nga situata ekonomike dhe rritja e çmimeve.
Në një konferencë për media së bashku me ministren e financave Delina Ibrahimaj, Rama ka deklaruar se do të rritet paga minimale nga 32 mijë lekë në 34 mijë lekë.
Po ashtu, sipas Ramës do të rriten pagat për administratën, indeksohet me 7.5% pagesa për personat me aftësi të kufizuara dhe për ndihmën ekonomike do të ketë rritje me 10% . Ndërkohë, ndihma ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë do të dyfishohet.
“Do të vijojmë programin e rritjes së pagave si është paralajmëruar për sektorët prioritarë, me buxheti dhe afatin e vitit të ardhshëm pasi rritëm me efekt nga muaji korrik pagat për ushtarakët mjekët infermierët mësuesit, do i rrisim përsëri.
Ndërkohë që sot me ndërhyrjen e dytë dhe me një paketë afatmesme do rrisim pagat për administratën që nuk ishin prekur prej shumë kohësh dhe do të rrisim po ashtu pagat për policinë e Shtetit dhe për Policinë e Burgjeve.
Ndërhyrja tjetër rritja dhe një herë e pagës minimale nga 32 mijë lekë në 34 mijë lekë, nuk do ketë pagë më të ulët se 34 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë, e më këto ndërhyrje besojmë se i kapërcejmë paketat e natyrës, një pako për 2-3 muaj e pastaj ska tjetër e krijojmë një bazë të rëndësishme të zgjeruar rezistence të të gjitha këtyre kategorive në raport me situatën e inflacionit dhe garantojmë me laps në dorë, mos rënien dramatike të fuqisë blerësë, por përkundrazi vijimin e një lëvizje në ekonomi.
Vijojmë me të njëjtën qasje mbështetje për naftë pa taksa për fermerët, rrisim financimin, mbështetje për TVSH e peshkimit, rrisim financimin, mbështetja për mos prekjen për çmimin e biletës së transportit.”- deklaroi Rama.