×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Publikohet dokumenti: Si u grabit ari i Shqipërisë nga ushtria gjermane

    Reporteri
    16 Shtator 2022 | 19:21

    Princi Leka Zogu ka publikuar një dokument për të spjeguar se çfarë kishte ndodhur me arin e Shqipërisë në periudhën kur vendi u pushtua nga gjermania fashiste.

    Në dokumentin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave i cili mban titulli “Shënim mbi arin e rezervës së monedhës shqiptare” shpjegohet se sasia e floririt është marrë nga pushtuesi gjerman.

    “Si sot, më 16 shtator 1943, u grabit ari i Bankës së Shqipërisë. Operacioni u drejtua nga SS Major Herbert Kappler. Sasia e grabitur e arit përllogaritet të arrijë sasinë e 23.408 kilogramëve. Ari u zhvendos nga Roma drejt “Rajh Bank”-ut dhe më pas u fsheh në minierën e kaliumit të Merkens-it të Turingisë. Në vijim, ari u transferua nga aleatët në mënyrë të pjesshme drejt Anglisë dhe Bankës Federale të New York-ut. Bashkëngjitur paraqiten shënime mbi arin rezervë të monedhës shqiptare. Me notën e 3 nëntorit 1943 drejtuar Kryekonsullatës gjermane, qeveria shqiptare kërkoi që ari të depozitohej në Zvicër pranë Bankës së emisionit, duke argumentuar se si shtet neutral, Zvicra do i jepte besimin mbajtësit të kartëmonedhës shqiptare për sigurimin e kundërvlerës përkatëse.

    Më 10 nëntor 1943, Kryekonsullata gjermane tregoi gatishmërinë për të pritur në “Rajh Bank” një komision shqiptar. Në mars 1944, u nis drejt Berlinit komisioni i zgjedhur, i kryesuar prej Vehbi Frashërit dhe me anëtarë ish-drejtuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Loro Musani dhe Sandro Bressan. Në pamundësi për ta çuar në Zvicër, ari mund të depozitohej për ruajtje në “Rajh Bank” vetëm në emrin e shtetit shqiptar ose në emër të shtetit dhe të Bankës Kombëtare. Më 6 prill 1944 ari u depozitua për ruajtje pranë “Rajh Bank”-ut në Berlin vetëm në emër të Bankës Kombëtare. Protokolli u lidh mes qeverisë shqiptare dhe ajo gjermane nënshkruan një protokoll, ku përcaktoheshin përgjegjësitë e palëve nënshkruese”, thuhet në postimin e Arkivave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!