Pas deklarimit të kryeministrit Ramush Haradinaj “që Serbia po blenë armë nga Rusia e edhe nga Franca”, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ai ka komentuar marrëveshjet e fundit që ka bërë Serbia me Francën për blerjen e armatimit dhe sistemeve ajrore raketore. Në twitter, Hoxhaj ka shkruar se armatosja e Serbisë është një kërcënim i ri për rajonin.
“Serbia vazhdon të pretendojë që është ushtarakisht neutrale, por po e tregon të kundërtën. Kush po e kërcënon Serbinë kaq shumë, sa që i duhet të blejë armatim të ri nga Franca dhe të tjerët, e t’i rrisë sistemet e mbrojtjes ajrore? Armatosja e Serbisë është një kërcënim i ri për rajonin”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj duke komentuar deklaratat e presidentit francez Emanuel Macron, i cili në Beograd është zotuar se do të rinisë bisedimet mes dy shteteve, duke përmendur edhe kompromisin, si mundësi për të shkuar drejt finales.
“Kjo po i bjenë, që po na këshillojnë edhe neve me ble armë. Se Serbinë po e armatosin, Po blenë armë në Rusi, edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë për sisteme raketore, dhe neve po na thonë se nuk mundemi me ia ngjit emrin marrëveshjes se është njohja reciproke në kufijtë ekzistues. Mirë çka të bëjmë ne pra. Ne jemi shtet i pavarur. S’kërkojmë asgjë përveç njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për të, a është porosi edhe për ne që të armatosemi. Nuk ka shumë hapësirë këtu në mes. Ne kemi kërkesë shumë bazike”, ka thënë Haradinaj.//Reporteri.net/.