Një prej aferave më të mëdha në Kosovë të evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve ndaj shtetit është duke shkuar drejt zbardhjes nga Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me ATK’në.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se afera në fjalë “fund e krye” përfshinë kompaninë e telekomunikimeve IPKO, në pronësi të Telekomit slloven.
IPKO, po dyshet se për vite të tëra i është shmangur obligimeve tatimore ndaj shtetit të Kosovës, në shifra që kalojnë miliona Euro në vit.
Hetimi po kryhet nga prokurori i shtetit në koordinim me inteligjencën financiare. Nën llupën e hetimeve janë edhe drejtues dhe ish-drejtues të lartë të kompanisë së telekomunikimeve, IPKO.
Të gjeturat, siç ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net janë tronditëse dhe përfundimi i hetimit, nëse gjithçka shkon deri në fund siç duhet, pritet të nxjerrë para drejtësisë një nga aferat më të mëdha në vend të evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me Prokurorinë e Shtetit dhe Administratën Tatimore të Kosovës në lidhje me hetimin, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri më sot në asnjë nga pyetjet e dërguara me e-mail disa herë gjatë gjithë javës së shkuar.
Njëjtë ka vepruar edhe kompania IPKO të cilët nuk janë përgjigjur në insistimet e gazetës online Reporteri.net për t’i sqaruar dyshimet. Ndryshe ka vepruar kompania amë, “Telekom Slovenije” që figurojnë të jenë 100% pronar të IPKO’s, sipas regjistrimit në ARBK.
Drejtoresha për komunikim e Telekomit slloven, Katarina Prešeren, tha të hënën me shkrim se nuk mund të japin asnjë koment për këtë temë.
“Ju sugjerojmë që lidhur me procedurën të pyesni autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës”, deklaroi Prešeren për Gazetën Online Reporteri.net.
IPKO vitin e shkuar kishte pësuar ndryshim në menaxhmentin e saj duke ardhur nga Sllovenia në krye të kompanisë në Kosovë, kryeshefi ekzekutiv aktual Tomaz Seljak.
Ky i fundit i dyshuar për përfshirje në një skandal tjetër financiar dhe të keqpërdorimit të parasë publike nga Telekomi slloven, kompania amë e IPKO’s në Kosovë, në Slloveni. Madje, ndaj Seljak, për këtë skandal, opozita sllovene kishte ngritur edhe një kallëzim penal, në fillim të këtij viti, pas gjetjeve të një komisioni hetimor parlamentar që ishte krijuar nga Parlamenti i Sllovenisë në lidhje me aferën në fjalë.
IPKO e themeluar në vitin 1999 si kompani për ofrimin e internetit, nga viti 2007 – pasi ishte blerë nga Telekomi Slloven, në një proces të zhurmshëm dhe plotë dyshime për dallavere – u bë operatori i dytë i licencuar në Kosovë për telefoni mobile.
Krahas telefonisë mobile dhe shërbimeve të internetit, IPKO për një kohë, me anë të një monopoli që i ka zgjatur vite të tëra, konsiderohej lider në tregun kosovar për shërbimin e televizionit digjital. Megjithatë, raportet e fundit, tregojnë se edhe ky treg i është tkurrur me të madhe këtë vit, pasi IPKO humbi ekskluzivitetin, njëherësh edhe monopolin, me Digitalb’in. /Reporteri.net/.