Britania e Madhe po konsideron pjesëmarrjen në takimin e muajit të ardhshëm të “Komunitetit Politik Evropian” i cili do të mbahet në Pragë më 6 tetor, raporton gazeta online Reporteri.net.
Zyra e Kryeministres Liz Truss dëshiron të shoh më shumë hollësi rreth samitit para se kryeministrja të vendos rreth pjesëmarrjes, por sipas BBC-së, ende nuk është marrë vendim në këtë drejtim.
Ideja e “Komunitetit Politik Evropian” është propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në maj të këtij viti.
Franca këtë ide të “Komunitetit Politik Evropina” e ka paraqitur si një platformë të shteteve evropiane që duan të bashkërisht të kontribuojnë ndaj sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit të Evropës.
Në shpjegimin e propozimit francez, thuhet se ky komunitet do të përbëhej nga shtete evropiane që ndajnë vlerat e përbashkëta të demokracisë.
Franca e ka paraqitur këtë projekt me një formë strukturore e ligjore të butë, me kapacitete vendimmarrëse, në të njëjtën kohë duke respektuar autonominë vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.
Sugjerohet që në kuadër të këtij samiti të mbahet disa herë në vit një mbledhje e anëtarëve në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish, si dhe në nivel ministror.
Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Evropian në fillim të shtatorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen e saj për komunitetin politik evropian, siç tha ajo, sepse beson se BE ka nevojë për të arritur drejt vendeve evropiane që janë jashtë “procesit të anëtarësimit”.
Ide të ngjashme janë përhapur për dekada, por kjo është shtytja e parë e madhe për një forum të tillë pas Brexit, shkruan BBC.
Ky komunitet, sipas propozimit francez, do të ishte i hapur për shtetet evropiane që ndajnë një grup të përbashkët vlerash demokratike.
Udhëheqësit e BE-së kanë mbajtur tashmë diskutime paraprake rreth kësaj nisme në qershor.
Në samitin që do të mbahet më 6 dhe 7 tetor në Pragë, ky diskutim do të vazhdojë së bashku me vendet që sipas planit do të jenë pjesë e këtij komuniteti, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
BBC thekson se në takim duhet të ftohen të 27 vendet anëtare, si dhe Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra, Turqia, pastaj gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Gjeorgjia, Armenia dhe Azerbajxhani.
Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian më 31 janar 2020 në mesnatën CET, pas 47 vitesh anëtarësim.
Dalja erdhi tre vjet e gjysmë pasi u votua në një referendum të qytetarëve, me një shumicë të ngushtë prej 52 me 48 për qind./Reporteri.net/