×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dyshohet se u nxor në pritë nga një femër misterioze, publikohen për herë të parë pamjet e fundit të Ervis Martinaj

    Reporteri
    21 Shtator 2022 | 20:24

    Publikohen për herë të parë pamjet në të cilat është parë për herë të fundit i shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martinaj.

    Fati i Martinajt është mister që nga 11 gushti 2022, mbrëmjen kur ai u shpall dhe u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij.

    Në videon e publikuar, “mbreti i lotove” shihet i shoqëruar nga një femër dhe ish-efektivi i operacionales, Jeton Lami tashmë i arrestuar, në ambientet e një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit.

    Video është publikuar mbrëmjen e sotme nga emisioni “Në Shënjestër.”

    Që nga ajo mbrëmje askush nuk di të thotë cili është misteri i zhdukjes së tij. Por gjatë emisionit ‘Në shënjestër’, këtë të mërkurë, u publikua edhe foto e makinës së braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj.

    Siç shikohet edhe nga fotoja, makina u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës.

    Ndërkohë që nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjeti.

    “Në shënjestër” zbardhi edhe pjesë të dosjes, ku thuhet se hetimi për zhdukjen e Martinajt, nisi pas informacionit të marrë nga një burim konfidencial, i cili rrëfente se i shumëkërkuari ishte rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët.

    Në dosje thuhet se njeriu më i famshëm i krimit në Shqipëri, është nxjerrë në pritë nga një femër, emri i të cilës nuk bëhet i ditur.

    Autoritetet nuk e kanë ende një përgjigje për fatin e babait të 4 fëmijëve të mitur, ndërsa kryeministri Edi Rama ka theksuar së fundmi se e kanë një përgjigje për këtë çështje, por duhet mbështetur në prova.

    Por ai nuk ka saktësuar nëse i shumëkërkuari e ka inskenuar ngjarjen apo është rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët e shumtë./Abcnews.al/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!