×
  • Lajme
  • Lajme

    Posta edhe pse buzë falimentimit, hapë konkurs për punëtorë të rinj

    Reporteri
    17 Korrik 2019 | 21:28

    Posta e Kosovës, përkundër që ndodhet në situatë të vështirë financiare për shkak të borxheve të papaguara nga ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, të shtunën me 13 korrik hapën konkurs për punëtorë të rinj.


    Situata buzë falimentimit, nuk është parë si problem për shpalljen e konkursit. Arsim Mehmeti, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Postën e Kosovës, tha se nuk është rritur buxheti i pagave me këtë konkurs, pasi që, sipas tij, të gjitha pozitat e punëtorëve të rinj janë pozita të domosdoshme për operim.

    “Janë pozita të domosdoshme, (kryesisht punëtorë sporteli dhe postier) e asnjë pozitë nuk është pozitë administrative ose menaxheriale”, ka thënë ai për Insajderin.

    Përveç të tjerash, Mehmeti ka treguar se kjo ka ardhur si pasojë e pensionimeve, ndërprerjeve të marrëdhënies së punës, punonjësve të vdekur, pushimeve pa pagesë dhe largimeve të përkohshme nga kompania e PK-së.

    “Ju njoftojmë se vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti kemi 14 pensionime, 7 ndërprerje te marrëdhënies së punës, 1 punonjës ka vdekur, 4 pushime pa pagese, 2 largime të përkohshme nga kompania e PK-së, 1 pezullim nga puna”.

    “Po ashtu, plotësimi me këto pozita nuk plotëson as për së afërmi nevojat për punëtorë të rinj duke marrë parasysh numrin e zyrave postare, shtimin e numrit te shërbimeve postare dhe shërbimeve të tjera që ofrohen nga PK SH.A”, ka thënë Mehmeti.

    Në lidhje me atë se pse është hapur konkursi në ditë vikendi, Mehmeti ka thënë se shpallja e konkursit publik dhe i gjithë procesi është bërë konform Udhëzimit Administrativ të MPMS.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!