Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se për muajin shtator, 25 mijë familje e kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar.
Murati thotë se kjo masë ishte pjesë e pakos për përballje me inflacionin, të cilën Qeveria e ka prezantuar në fillim të shtatorit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator, këtë javë që po lëmë pas. Kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin, që sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetjen e shtetit”, ka thënë Ministri përmes një postimi në Facebook.
Megjithatë, sipas Muratit, në mënyrë që të rregullohen skemat sociale e pensionale, nevojitet një reformë gjithpërfshirëse, dhe se për këtë, duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore.
“Prandaj për herë të tretë kemi dërguar këtë marrëveshje në Kuvend, duke llogaritur se kësaj radhe do të gjej mbështetjen e nevojshme të 2/3 të deputetëve për tu ratifikuar”, tha ai.
Postimi i plotë:
25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator, këtë javë që po lëmë pas.
Kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin, që sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetjen e shtetit.
Mirëpo për të bërë zgjidhje afatgjatë për të rregulluar skemat sociale e pensionale, një reformë gjithpërfshirëse është e domosdoshme.
Për këtë, na duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore, që parasheh reformimin e skemave sociale, dhe krijon regjistrin social e integron sistemet, gjë që hap rrugë edhe për reformën e sistemit pensional.
Prandaj për herë të tretë kemi dërguar këtë marrëveshje në Kuvend, duke llogaritur se kësaj radhe do të gjej mbështetjen e nevojshme të 2/3 të deputetëve për tu ratifikuar.
Janë rreth 100 mijë persona përfitues nga skema sociale dhe mbi 200 mijë përfitues të pensioneve të moshës e kontributive të cilët po presin që kjo marrëveshje të kalojë.