×
  • Lajme
  • Lajme

    Tha se dha dorëheqje për Specialen, por Haradinaj përmendi edhe presionin e ndërkombëtareve për heqjen e taksës

    Reporteri
    19 Korrik 2019 | 16:44

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka jep dorëheqje nga shefi i qeverisë, para pak minutash me arsyetimin se është thirrur nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara si i dyshuar.


    Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Haradinaj ka përmendur edhe presionin e bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e taksës që Qeveria e tij vuri ndaj Serbisë, vitin e shkuar, shkruan Reporteri.net.

    “Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet”, tha kreu i AAK-së derisa lexoi para kabinetit të tij qeverisës, dhe më pas para mediave, fjalimin e tij të dorëheqjes.

    Ky është fjalimi i plotë i dorëheqjes se Haradinajt:

    Të nderuar Kolegë,

    Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

    Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje

    Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar

    Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

    Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’I dal përball shpifësve ashtu si e kërkon nderi I luftëtarit shqipëtar.

    Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

    Shteti im është Kosova e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

    Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajoni

    Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes

    Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

    Kosova Euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

    Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë.

    Kurr s’është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

    Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.

    Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN JA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

    I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpall zgjedhjet e parakohëshme.

    Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

    Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.

    Do t’i shërbej me besnikëri, gjith jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS!

    Faleminderit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!