×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Limaj: Jakup Krasniqi do ta mbrojë luftën e UÇK-së

    Reporteri
    20 Korrik 2019 | 13:04

    Lideri i NISMA’s, Fatmir LImaj, ka thënë se edhe kësaj radhe Jakup Krasniqi do ta mbrojë luftën e UÇK’së. Ka thënë se Kosova do ta kalojë me sukses edhde këtë sfide derisa ka paralajmëruar fitore përballë shpifjeve të luftëtarëve të UÇK’së.


    Këto komente Limaj i ka bëtë pasi Jakup Krasniqi tregoi se është ftuar nga Specialja.

    “Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë. Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë perballë shpifjeve”, ka shkruar Limaj në reagim.

    Ish-Zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, konfirmoi sot se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur për intervistim. Lajmin e ka bërë të ditur në llogarinë e tij në facebook.

    “Përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi”, ka shkruar Krasniqi në njoftim.

    Ndërkohë, një ditë më parë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

    Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

    Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

    Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

    Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

    Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

    Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

    Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

    Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

    Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

    Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

    Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!