×
Opinione

Udhëheqësitë e kaluara nuk ishin servile

Reporteri
08 Nëntor 2022 | 12:28

Autor: Shkodran Ramadani


Një ndër gënjeshtrat dhe mashtrimet më të mëdha të Albin Kurtit dhe Partisë Vetëvendosje është portretizimi i pasaktë, i padrejtë dhe i lig i udhëheqësive të kaluara si “elita të koncesioneve ndaj Serbisë dhe të servilitetit ndaj ndërkombëtarëve”.

E vërteta është krejt e kundërt me këto gënjeshtra malinje dhe helmuese. Udhëheqësitë e kaluara në krye fillimisht me Ibrahim Rugovën dhe pastaj me Hashim Thaçin janë më të vendosurat, më kërkueset dhe më vizionaret në historinë moderne të Kosovës.

Në vitet 90, kur Kosova shpalli pavarësinë, asnjë vend në botë (përveç Shqipërisë) nuk e njohu atë. ShBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe të gjitha shtetet tjera nuk parashihnin më shumë sesa autonomi për Kosovën brenda Serbisë dhe asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia e dikurshme.

Megjithatë, kjo asnjëherë nuk e ka thyer Presidentin Ibrahim Rugova dhe udhëheqësinë e paraluftës. Ata nuk u dorëzuan kurrë dhe në çdo takim me ndërkombëtarë, me aq sa kishin fuqi, insistonin vetëm në pavarësi dhe asgjë më pak.

Në vend të servilitetit ndaj ndërkombëtarëve, udhëheqësia kosovare demonstroi këmbëngulje të palëkundshme në qëndrimet e veta.

Dhe kur kërkesat paqësore nuk u morën parasysh sa duhet, ndërhyri UÇK-ja, që nuk i dëgjoi as thirrjet e ndërkombëtarëve për stabilitet, e që as nuk iu nënshtrua brutalitetit shovenist të Millosheviqit.

Pra e kundërta e dëgjueshmërisë.

Derisa Albin Kurti dhe Partia Vetëvendosje me servilët e vet në studiot televizive e portretizojnë Konferencën e Rambujesë si dorëzim të palës kosovare, e vërteta është që përkundër trysnisë enorme ndërkombëtare, aty fillimisht u refuzua drafti i parë nga Drejtori Politik i UÇK-së dhe udhëheqësi i Delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Marrëveshja u shty për dy javë, deri sa ndërkombëtarët e futën të drejtën e referendumit dhe vullnetin e popullit të Kosovës në marrëveshje. Vetëm pas realizimit të kësaj kërkese, pala kosovare e pranoi atë dokument që më pas u bë argumenti për bombardim të Serbisë.

Pra, harmonizimi i qëndrimeve me ndërkombëtarët nuk rezultoi me nënshtrim të palës kosovare ndaj Serbisë, por me bombardim të saj nga NATO.

Derisa Vetëvendosje thotë se “serviliteti ndaj ndërkombëtarëve gjithmonë u pasua me lëshime ndaj Serbisë,” e vërteta është që aty dhe pothuajse në çdo episod tjetër ka pasur vetëm koordinim me ndërkombëtarët për fitore mbi Serbinë.

Por vendosmëria e udhëheqësisë kosovare nuk përfundon me kaq. Pas përfundimit të luftës, u krijua një realitet i ri politik në vend, shumë më i favorshëm se para 1998, por pavarësia ende nuk ishte siguruar. Nga ai moment e tutje, politikat u orientuan drejt shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit.

Por as aty nuk ishim pa sfida. Edhe pas luftës, asnjë prej aleatëve të sotëm nuk e ka mbështetur kërkesën e Kosovës për pavarësi që nga fillimi. ShBA dhe BE vetëm rreth vitit 2006 janë përcaktuar për pavarësinë e Kosovës.

Në një libër që e lexova së voni, “Kosovo: From Crisis to Crisis,” të shkruar nga dy akademikë holandezë, Dick Leurdijk dhe Dick Zandee, thuhet se “nga momenti i dorëzimit të Sllobodan Millosheviqit në Marrëveshjen e Kumanovës,” problemi më i madh i ndërkombëtarëve nuk ishte më Serbia, por partitë e dala nga UÇK-ja, të cilat nuk pranojnë asgjë më pak se pavarësi. Në të kundërtën, ato kërcënojnë me rinisje të luftës.”

Ky konstatim kishte edhe bazë në realitet. Sepse UÇK-ja kurrë nuk i dorëzoi të gjitha armët. Me armët që nuk u dorëzuan u nisën edhe dy lufta tjera në Maqedoni dhe Luginë. Poashtu, 10 mijë ushtarë të UÇK-së u bënë ose policë, ose ushtarë të TMK-së. Pjesa më e madhe e mbetur u bënë anëtarë të PDK-së dhe AAK-së. Pra boshti i UÇK-së ishte ruajtur krejtësisht dhe madje ishte sofistikuar.

Gjatë kësaj periudhe e deri më 2006, qëndrimi dominant ndërkombëtar ishte për një zgjidhje që i jep Kosovës diç më shumë se autonomi dhe diç më pak se pavarësi brenda Serbisë. Mirëpo, në negociatat e Vienës, të cilat Partia Vetëvendosje i kundërshtonte ashpër, udhëheqësia e Kosovës ishte këmbëngulëse në qëndrimin e saj “vetëm pavarësi dhe asgjë tjetër”.

Vetëm pas asaj kohe dhe pas kësaj vendosmërie të palës kosovare filluan të kristalizohen gjërat. Qëndrimi ynë gradualisht u pranua nga ShBA. Prandaj Presidenti Amerikan Bush u bë i pari president amerikan që më 2007 në Tiranë tha: “Mjaft është mjaft, koha është që Kosova të shpallë pavarësinë”.

Këtë qëndrim politik Marti Ahtisaari e përktheu në dokument që siguron pavarësinë e Kosovës, të cilin natyrshëm Partia Vetëvendosje e denoncoi dhe e luftoi.

Në fund, kjo këmbëngulje e udhëheqësisë sonë në pavarësi që refuzonte çfarëdo varianti të autonomisë nën Serbi, normalisht, u shpagua. Në vitin 2008 Kosova praktikisht zbatoi të drejtën e vetëvendosjes dhe shpalli pavarësinë, duke e bërë realitet kështu aspiratën tonë popullore e shekullore. Sepse vetëm një vend i pavarur mund të vendos për veten e vet.

E krejt kjo, sigurisht, nuk do të mund të bëhej pa një udhëheqësi atdhetare, vizionare e të pjekur. Portretizimi i tyre si elitë servile dhe e nënshtruar ndaj Serbisë është i lig, farsë dhe mashtrim të cilin asnjë njeri me dy fije mend në kokë dhë një pikë morali në zemër nuk duhet ta pranojë si të vërtetë.

Historia e udhëheqësive të kaluara është një storie e vendosmërisë në mbrojtjen e interesave tona, e koordinimit strategjik me vendet më të fuqishme dhe më demokratike të botës, si dhe e guximit për t’u përballur me procesin e përgjakshëm të çlirimit dhe rrugëtimin e vështirë drejt shtetndërtimit.

Vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës është dëshmi e kësaj. Ky shtet nuk u krijua nga rastësia dhe nuk zbriti nga qielli, por u bë i mundshëm nga zgjuarsia politike e udhëheqësisë politike që kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra e popullit të Kosovës për pavarësi.

Ata që e thonë të kundërtën janë vetëm shpirtvogël, zemërngushtë dhe mashtrues ziliqarë që nuk e patën kurrë as guximin, as vizionin e as pjekurinë për të qenë pjesë e arritjeve më të mëdha në historinë tonë kombëtare.

Ky lexim i mbprashtë i historisë është i mundshëm veç në mullirin e propagandës në podrumet e errëta të Partisë Vetëvendosje, aty ku fabrikohen mashtrimet, gënjeshtrat e thashethemet e demagogëve që lëngojnë për pak lavdi në një vend ku pothuajse çdo politikan në skenë ka dhënë kontribut më të madh se ata në realizimin e aspiratave tona kombëtare.

*Autori është politolog dhe studiues i sociologjisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!