Kryeministri Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje, për formimin e një qeverie, por zgjedhjet nuk janë opsioni i vetëm kushtetues për një qeveri të re.
Tani i mbetet në dorë Presidentit dhe partive politike që të vendosin nëse do të shkohet në zgjedhje, apo të bëhet një qeveri tjetër, të cilën do të mund ta votonte legjislatura aktuale.
Përveç spektrit politik vendor, dihet qartë, se për vendimet politike në Kosovë, rol të madh ka edhe faktori ndërkombëtar, në veçanti ShBA’ja dhe vendet e BE’së, siç janë Gjermania, Britania e Franca.
Nëse analizohen me kujdes, deklaratat e ambasadorëve të ShBA’së dhe Gjermanisë, pas dorëheqjes së Haradinajt, asnjëri nuk i përmend zgjedhjet, por fokus kryesor kanë dialogun me Serbinë, i cili është i bllokuar prej disa muajsh.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në deklaratën e tij, të lëshuar në Twitter, pas dorëheqjes së Haradinajt, të vetmën gjë që e përmend, është dialogu me Serbinë. Ndër të tjera, ai thotë se “është koha që Kosova dhe Serbia të gjejnë rrugën e tyre për t’u kthyer në tryezën e negociatave”.
Sikurse ambasadori amerikan, edhe Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, nuk i ka përmendur zgjedhjet e reja, por vetëm formimin sa më shpejtë të një qeverie të re, dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Kosova vazhdon të ketë përballë sfida të rëndësishme politike, në veçanti dialogun politik me Serbinë dhe reformat e brendshme politike. Është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë një qeveri funksionale”, ka thënë ambasadori gjerman.
Në këtë rast, ndërkombëtarët, mund të kërkojnë formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila mandat kryesor do të kishte vazhdimin e dialogut me Serbinë, për të provuar gjetjen e një marrëveshje finale me këtë shtet fqinj.
Kjo do të ishte edhe një shans i unifikimit të faktorit politik shqiptar të Kosovës, në dialogun përball Serbisë, mundësi e cila nuk është arritur deri tani, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së koalicionit PAN. /reporteri.net