Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se kjo parti është e gatshmë që të garojë e vetme në zgjedhjet që do të mund të mbahen këtë vit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Krasniqi nuk ka komentuar për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se PSD nuk po merret me koalicione, por me organizim dhe mobilizim.
“Nuk është çështja e koalicioneve një çështje me të cilën po merret PSD-ja-është organizimi dhe mobilizimi për fushatë zgjedhore. Jemi duke u përgatitur që të garojmë vetëm dhe natyrisht që ende nuk ka ndonjë diskutim për koalicionet e ardhshme”, ka thënë deputeti Krasniqi në KlanKosova.
Deputeti opozita nuk ka treguar drejtpërdrejtë se me cilat parti ka vija të kuqe PSD-ja, por ka thënë se është koha që PDK-ja të jetë në opozitë.
“PSD-ja mendon që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë. Ky është qëndrim i bazuar mbi faktin që është një prej subjekteve përgjegjëse për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”, ka thënë ai.