Autoritetet e Arabisë Saudite thanë të martën se pengimi i anijeve tregtare nga Irani në ujërat e Gjirit Persik, përfshirë konfiskimin e një anije britanike, është shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i parandalojnë këto veprime.
“Çdo pengim i lirisë së trafikut detar ndërkombëtar vlerësohet shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë atë që është e nevojshme për ta kundërshtuar dhe parandaluar një gjë të tillë”, thuhet në një deklaratë të kabinetit saudit, të publikuar nga mediet shtetërore.
Irani njoftoi të premten se e ka konfiskuar anijen britanike, Stena Impero, e cila ishte duke lundruar drejt një porti të Arabisë Saudite dhe papritmas e ndryshoi drejtimin pasi e kishte kaluar Ngushticën e Hormuzit, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Britania ka reaguar ashpër ndaj konfiskimit të anijes, duke e cilësuar këtë veprim si piratëri shtetërore dhe i bëri thirrje misionit detar evropian që të ofrojë siguri gjatë lundrimit të anijeve në rrugën më të rëndësishme detare në botë për transportimin e naftës.
Konfiskimi i anijes britanike nga Irani po vlerësohet si hakmarrje për konfiskimin e anijes iraniane nga forcat britanike në Ngushticën e Gjibraltarit.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.