I dyshuari F.B., për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, është liruar nga masa e paraburgimit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
Ndaj të njëjtit, ajo tha se është ngritur edhe aktakuzë.
“Është ngrit aktakuza dhe me ngritjen e aktakuzës, prej Prokurorisë nuk është parashtru kërkesë për vazhdim, propozim për vazhdim të paraburgimit. I pandehuri ka qenë në paraburgim deri sot sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake. Prej sot është lëshu në liri”, deklaroi Zhuti për Reporteri.net.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Pejë, më 30 shtator kishte identifikuar të dyshuarin për sulm dhe i njëjti ishte arrestuar nga Policia.
“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Viktima e sulmit, Mrika Nikqi, e cila është alpiniste, ka publikuar edhe pamje nga ky sulm.
Sipas saj, F.B., është anëtar i një familjeje të njohur në Pejë.
Nikqi thotë se ky rast ka bërë që ajo të jetë në gjendje të rëndë emocionale e të mos mund të deklarohet në tërësi.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, shkroi ajo. /Reporteri.net/.
Sulm seksual në qendër të Pejës, viktima publikon videon: Jam në gjendje të rëndë emocionale