×
  • Lajme
  • Lajme

    Mediat e Vuçiqit shpërthejnë në propagandë: Kurti çoi 200-300 policë, nisi okupimi i Veriut

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 21:48

    Pas vendimit të Policisë së Kosovës për ta rritur prezencën në veri, mediat serbe, të afërta me presidentin Aleksandar Vuçiq kanë raportuar me pompozitet.

    “Okupimi i veriut ka filluar: Kurti ka dërguar 200 deri në 300 forca speciale të armatosura kokë e këmbë”, ka shkruar gazeta serbe Novosti.

    Sipas gazetës, kjo është përpjekja e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta pushtuar veriun.

    Edhe gazeta tjetër B92, ka raportuar me qasjen e njëjtë, duke u thirrur në burimet e veta.

    “B92 mëson: okupimi i veriut ka nisur, Kurti ka dërguar forca speciale”, është titulli i saj.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rrisë praninë e saj në veri, pas situatës së fundit të krijuar atje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka thënë se ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend.

    “Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Shtimin e prezencës policore në veri e paralajmëroi para dy ditësh edhe Kryeministri Albin Kurti.

    Zhvillimet e fundit në veri, Policia thotë se do ta rrisë prezencën policore atje

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!