UEFA e ka paralajmëruar Slovan Bratislavan se mund të përballet me dënime të ashpra nëse tifozët e tij do të shfaqin parulla nacionaliste kundër Kosovës në ndeshjen e sotme ndaj Feronikelin, e vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Europa Leagues
Ky fakt po e shqetëson me të madhe klubin sllovak, i cili sot do ta presë në Bratislavë kampionin e Kosovës, Feronikeli, në ndeshjen e vlefshme për rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues.
Klubi nga kryeqyteti sllovak është paralajmëruar nga UEFA se mund të marrë dënime të ashpra nëse në tribuna shfaqen parulla nacionaliste, në këtë rast kundër Kosovës, apo nëse bëhen edhe thirrje antishqiptare.
Futbollistët serbë Aleksandar Cavric e Dejan Drazic, por edhe trajneri Vladimir Radenkovic, e kanë bojkotuar ndeshjen e sotme.
“Klubi i futbollit Slovan Bratislava është mjaft i rëndësishëm për të gjithë tifozët. Ne i ftojmë dhe kërkojmë nga tifozët që do të jenë të pranishëm në ‘Tehelne’ në ndeshje me Feronikelin që të distancohen nga ndonjë slogan që ka të bëjë me situatën politike me kundërshtarin tonë. Përfaqësuesit e UEFA-s e na e kanë bërë të qartë se çdo përzierje e politikës do të na kushtojë dhe se do të dënohemi ne si klub dhe tifozët. Kjo nënkupton se klubi nuk do të dënohet vetëm me para, por gjithashtu mund të na e mbyllin stadiumin për ndeshjen e ardhshme që do ta luajmë në Evropë. Ne deshëm t’ju informojmë ju për situatën, sepse është mjaft e rëndësishme për ne që t’ju shmangemi sanksioneve të UEFA-s”, njofton klubi sllovak.
Ndeshja ndërmjet Slovan Bratislavas dhe Feronikelit do të fillojë në orën 18:00.