Autoritetet serbe edhe dje kanë vazhduar me gjuhën e militarizuar referuar ngjarjeve në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se më 15 dhjetor do t’i drejtohen Komandantit të KFOR-it për kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44.
Vuçiq disa herë gjatë ditëve të fundit referuar ngjarjeve në Veri ka thënë se “nuk do të ketë dorëzim”, shkruan Reporteri.net.
E këtë po e thotë edhe djali i tij, i cili është përfshirë në komentimin e zhvillimeve në veri.
Një kërcënim në drejtim të Kosovës e ka dërguar edhe “Vuçiqi i vogël”.
“Ekziston njëri që do të dorëzohet, e Zoti e di që e njoh edhe një tjetër që nuk do ta bëjë këtë”, ka shkruar Danilo Vuçiq në Instagram nën një foto ku shfaqet së bashku me babain e tij, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë.
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, katër ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.
Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur, ndërkaq shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura. /Reporteri.net