Agim Bahtiri thotë se është larguar nga partia e Behgjet Pacollit. Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i Mitrovicës. Ky veprim i tij ishte paralajmëruar qysh të hënën në një mbledhje të kryesisë së AKR-së, të cilën Bahtiri e kishte lëshuar në mënyrë demonstrative. Reporteri.net ka shkruar për këtë rast.
Pak ditë pasi demonstrativisht braktisi mbledhjen e AKR-së, në të cilën paralajmëroi edhe largimin nga partia e Behgjet Pacolli, Agim Bahtiri ka konfirmuar ndarjen e rrugëve politike me biznesmenin e shndërruar në politikan.
Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i Mitrovicës, në një prononcim për Express.
“Unë nuk jam më me AKR-në, nuk jam më në partinë e Behgjet Pacollit”, citohet të ketë thënë Bahtiri.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar para dy ditësh se si Agim Bahtiri ka lëshuar mbledhjen e AKR-së, e mbajtur të hënën. Në këtë mbledhje partia e Behgjet Pacollit ishte duke diskutuar për situatën e krijuar pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i Kryeministrit.
Bahtiri derisa ishte duke u larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja e AKR-së, kishte kërcënuar ish-partinë e tij me largim nëse ata nuk zgjedhin Lëvizjen Vetëvendosje për të hyrë në koalicion në rast se shkohet në zgjedhje.
Ndërkohë, sot kur është raportuar nga disa media se AKR-ja do të hyjë në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt, Bahtiri ka treguar se është larguar nga partia e Pacollit.
“Unë nuk merrem më me AKR-në, pyetni organet e AKR-së, jo mua”, ka deklaruar ai tutje.