×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi i shokuar me skandalin në Spitalin e Pejës: Kryeministër dilni zot pacientëve, krimi ta ka kapluar sektorin

    Reporteri
    21 Dhjetor 2022 | 21:36

    Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka reaguar pas skandalit në Spitalin e Pejës, ku sipas raportimeve të mediave, një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë.

    Krasniqi ka thënë se është i shokuar nga ky rast, derisa i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti që sa më shpejtë ta emërojë Ministrin e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, ka shkruar Krasniqi.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se rasti ka ndodhur javën e kaluar, ndërsa janë në fazat fillestare hetimore.

    Tutje, ai njoftoi se prokurorja e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.

    “Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”,

    Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet. Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur.

    “Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.

    Skandali në Spitalin e Pejës – Prokurorja e pret në takim prindin e foshnjës së vdekur që u fut në lavatriçe me çarçafë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!