Ish-truproja e Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci ka propozuar short për të zgjedhur Kryetarin e ri të LDK’së. Ka thënë se ka aq shumë emra që mund të jenë në pozitën e Shefit të LDK’së sa vështirë se mund të bëhet me vota.
“… them se problemi i kandidatit për kryetar të LDK-së qëndron në faktin se nuk është vetëm një, nuk janë as dy e tre, por janë shumë dhe kjo flet për një kualitet të ri që vetëm LDK-ja e prodhon, që i bie se Kryetari i LDK-së në mesin e të përmendurve mund të zgjedhet edhe me short!”, ka propozuar Merovci.
Merovci për Shef të LDK’së ka thënë se mund të jete edhe akademik Sabri Hamiti ose edhe djali i Ibrahim Rugovës, Uka.
Madje, Merovci ka përmendur edhe Ibrahim Berishën si njërin prej njerëzve që mund të jetë në vend të Isa Mustafës.
“Dhe ky njeri në LDK nuk është një dhe vetëm një, janë shumë, le t’i numërojmë: Isa MUSTAFA, Fatmir SEJDIU, Lutfi HAZIRI, Sabri HAMITI, Agim VELIU, Ismet BEQIRI, Ibrahim BERISHA, Anton QUNI, Abdullah HOTI, Vjosa OSMANI, Besa GAXHERRI, Kujtim SHALA, Lirie KAJTAZI, Gazmend MUHAXHERI, Arban ABRASHI, Lutfi ZHARKU, Ukë RUGOVA, Imri AHMETI, Haki RUGOVA, Xhafer TAHIRI, Hazir BOROVCI, Fatmir REXHEPI, etj. Radhitja e emrave nuk prejudikon nivelin e rëndësisë së tyre!”, ka thënë Merovci, në një përgjigje me shkrim për Express.
Merovci ka parashikuar se prapë delegatët e LDK’së do ta votojnë njeriu më të mirë të LDK’së.
“Duke u bazuar në traditën dhe përvojat nga e kaluara, sado që mund të këtë frustrime dhe rivalitet mes kandidatësh, delegatët e kuvendit të LDK-së, çdo herë kanë ditur ta zgjedhin më të mirin në mes shumë të mirëve”, ka shtuar ai.
Sot Fatmir Sejdiu ka treguar se do të jetë kandidat i LDK’së për Kryetar.
Të shtunën, edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti nuk e ka mohuar mundësinë që t’i hyjë garës për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një intervistë për EkonomiaOnline, Hoti ka thënë se do të ketë festë më 3 gusht kur do të mbahet Kuvendi i Përgjithshëm i LDK’së.
“Po punojmë shumë që të kemi një Kuvend i cili do të jetë ceremonial që tregon unitetit e LDK-së në katër anët e Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ai shpreh i bindur se gëzojnë përkrahje të madhe qytetare, por që këtë besim dëshirojnë që ta rrisin.
“Ne qëndrojmë mirë me përkrahjen që e kemi te qytetarët nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 jemi partia me numrin më të madh të votave, jemi grupi më i madh parlamentar, partia me numrin më të madh të komunave dhe të këshilltarëve komunale dhe dëshirojmë të rrisim këtë besim që e kemi nga qytetarët”.
Ambicie për t’u bërë Kryetar i LDK’së ka shprehur edhe Agim Veliu e Lutfi Haziri. Nuk ka shpjeguar pozicionin ende as Vjosa Osmani, e cila është përmendur si kandidate për Kryeministre nga LDK’ja pavarësisht se kush e fiton garën për Kryetar të LDK’së.
Kujtojmë se LDK do të mbajë me 3 gusht Kuvendin ku do të zgjedhet kryetari i ri i partisë.