×
  • Lajme
  • Botë

    Putini “tash i ka sytë kah NATO dhe Perëndimi”, paralajmëron zyrtari i BE’së

    Reporteri
    27 Janar 2023 | 19:18
    Stefano Sannino, Stefano Sannino, Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian

    Stefano Sannino, Sekretar i Përgjithshëm në Bashkimin Evropian, ka paralajmëruar se presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, ka zhvendosur fokusin nga lufta në Ukrainë në kërcënim ndaj NATO’s dhe Perëndimit.

    Sannino e ka kritikuar Moskën për përhapje të konfliktit, duke thënë se Putini tani ka kaluar “nga koncepti i ‘një operacioni special’ në një koncept të një lufte kundër NATO-s dhe Perëndimit”, raporton Metro, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Gjermania dhe ShBA njoftuan të mërkurën se do të dërgojnë tanke të avancuara luftarake në Ukrainë, për të ndihmuar Kievin ta thyejë ngërçin luftarak derisa pushtimi rus hyn në muajin e tij të 12-të.

    Lidhur me këtë zhvillim, Sannino tha se BE-ja nuk po e avancon luftën, por “thjesht po jep mundësinë për të shpëtuar jetë dhe po ua mundëson ukrainasve të mbrohen nga këto sulme barbare të Rusisë”.

    “Mendoj se zhvillimet e fundit në raport me furnizimin me armë përfaqësojnë një zgjerim të situatës dhe të faktit se Rusia është ajo që e ka zhvendosur luftën në një tjetër fazë [jo Perëndimi]”, tha zyrtari i BE’së.

    Përndryshe, njoftimi për furnizim me tanke shënoi fazën e parë të një përpjekjeje të koordinuar nga Perëndimi për të siguruar dhjetëra armë të rënda, për të cilat komandantët ushtarakë ukrainas thanë se do të mundësonin kundërsulm ndaj Rusisë si dhe do të reduktonin viktimat. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!