×
  • Lajme
  • Lajme

    “Diçka po zihet?” – A është edhe Gazmend Muhaxheri kandidat për kryetar të LDK-së?

    Reporteri
    28 Korrik 2019 | 23:04

    Kur kanë mbetur edhe më pak se një javë, gara për të parin e LDK-së po bëhet gjithnjë e më e “nxehtë”, kjo duke marrë për bazë deklarimet e fundit që kanë dhënë zyrtarë të kësaj partie.


    Gjatë ditës së sotme ka dalë hapur rivaliteti i madh mes disa prej atyre që synojnë të marrin kreun e partisë, por jo vetëm.

    E gjitha nisi kur Fatmir Sejdiu në një mënyrë e pranoi që do të garojë për kreun e LDK-së edhe pse tha se gjithçka do të zyrtarizohet në Kuvendin e partisë.

    Ndaj këtij konfirmimi të Sejdiut ka reaguar djali i Isa Mustafës, Besniku i cili ka publikuar një foto me babain e tij , ndërsa ka shkruar se janë të disponuar për sfidat e radhës, shkruan Reporteri.net.

    “Të disponuar për sfidat e rradhës ✔️”, ka shkruar Besniku, duke konfirmuar kështu në një fare mënyre se Mustafa do të rikandidojë edhe për një mandat në krye të partisë.

    Dhe për të “nxheur” edhe më tej situatën u përkujdes Bajram Gecaj, ish-zv.ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, i cili përmes një postim në Facebook sikur la të kuptohet se edhe Gazmend Muhaxheri mund të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, edhe pse ky i fundit ditë më parë deklaroi se nuk do të jetë pjesë e garës.

    Gecaj publikoi foto ku personazhi kryesor ishte kryetari i Pejës, dhe në këtë postim ka shkruar “Diçka po zihet…”, pa dhënë detaje tjera.

    Këto reagime të orëve të fundit brenda LDK-së sikur janë sinjal se kjo parti nuk ka gjetur unitetin për një kandidat të pranueshëm për kreun e partisë, të shumëkërkuar nga nënkryetari Lutfi Haziri, i cili disa herë ka deklaruar në media se është “pro” një marrëveshje të tillë.

    “Unë kam kërkuar një marrëveshje për liderin e partisë. Nëse s’kemi marrëveshje, atëherë unë do të veproj, do të shpall kandidaturën time, ashtu siç kam paralajmëruar para disa muajsh”, ka deklaruar Haziri për mediat kohë më parë.

    Kujtojmë se zgjedhjet për kryetar të LDK-së mbahen me datën 3 gusht dhe ende nuk dihen cilët janë të gjithë kandidatët që do garojnë për postin e udhëheqësit të kësaj partie. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!