×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Çfarë mbeti nga anija që u dogj dhe si u shpëtua ekuipazhi prej 5 personash

    Reporteri
    29 Korrik 2019 | 11:31

    Në orët e pata të mëngjesit të sotëm anija turistike ‘Aqua Marine’ është përfshirë nga flakët pranë brigjeve të Karaburunit në jug të vendit.


    Ekuipazhi me 5 persona në bord ka qenë në gjumë në momentin kur janë shfaqur flakët dhe kanë arritur të shpëtojnë pa dëmtime duke u hedhur në det.

    Anija turistike përshkruante linjën Vlorë-Karaburun.

    Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe policia Kufitare.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se “mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje.

    Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve.”

    Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj.

    Në këtë mjet lundrues ndodheshin 5 persona, të cilët nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht.

    Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

    Ndërsa drejtoria e Përgjithshme Detare është njoftuar nga një anije tjetër për akostimin e anijes turistike në gadishullin e Karaburunit.

    “Sot në orën 05:51 Kapiteneria e Portit Vlorë u njoftua nga kapiteni anijes A/T ‘Black Pearl’ se anija turistike ‘Aquamarine’ ishte përfshirë në flakë të mëdha në largësi e cila ndodhej e akostuar në plazhin e Dhim Kushtes në Karaburun. Në orën 05:55, u kontaktua me kapitenin e A/T AKUAMARINE dhe pronarin dhe konfirmuam se rreth orës 03:45, anija është përfshirë nga flakët si pasojë e një mase elektrike.

    Përfshirja e anijes në flakë ka qenë e menjëhershme dhe s’kanë pasur kohë të merrnin masa për fikjen e zjarrit dhe janë hedhur në det të gjithë personat. 5 persona në bord kanë dalë në breg pa lëndime, vetëm dëme materiale.

    Në orën 05:59 u njoftua Kapiteni i Portit për gjithë situatën e ndodhur deri në atë moment. Në 06:05 u komunikua me QNOD e cila ishte në dijeni për ngjarjen dhe kishte marrë njoftim nga Policia Kufitare. Në bord gjendeshin rreth 230 litra naftë, të cilat u dogjën totalisht gjatë procesit të flakëve”, thuhet në reagim.

    Drejtoria kërkon nga Regjistri Detar Shqiptar si organi kontrollues dhe certifikues i anijeve që të marrin masa dhe të jenë të rreptë në inspektimet dhe certifikimet e anijeve dhe standardet e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!