×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramush Haradinaj takim me Florin Krasniqin, a po i rikthehet politikës ish-deputeti i VV-së përmes AAK-së?

    Reporteri
    29 Korrik 2019 | 21:13

    Me të lënë postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj është duke u angazhuar në forcimin e partisë së tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke ofruar dhe duke marrë anëtarë të partive të tjera përkrahë tij.


    Pasi ka rehatuar në kryesi Albena Reshitajn, ish-ministre e Mjedisit në kohën sa ishte në AKR dhe ish-ministrin e Fatmir Limajt, Bajram Hasanin, Haradinaj duket se po synon të anëtarësojë edhe ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, shkruan Reporteri.net.

    Haradinaj në një postim në Facebook, ka treguar se ka vizituar Xhafer Krasniqin, babanë e dëshmorit Përparim Krasniqi dhe axhën e Heroit të Kosovës, Adrian Krasniqi.

    Në foton që shoqëron këtë postim, shihet edhe Florin Krasniqi, i cili pas ndarjes së Vetëvendosjes në dy pjesë, ka vendosur të mbështesë Partinë Social Demokrate e themeluar nga grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje.

    Biznesmeni shqiptar në Amerikë Florin Krasniqi, për një kohë, kishte qenë njeriu kryesor i Vetëvendosjes që ishte konfrontuar me PDK-në dhe ish-zyrtarët e SHIK-ut, duke thënë se SHIK, ishte organizatë kriminale.

    Krasniqi që ka mbajtur edhe pozitën e anëtarit të Kryesisë së Vetëvendosjes, kishte ndihmuar partinë financiarisht derisa në zgjedhjet e fundit nacionale nuk arriti të bëhej deputet./Reporteri.net./.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!