×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi në 53 vjetorin e UP-së: Studentët s’po shohin të ardhme në Kosovë, shkak mungesa e vizionit qeverisës

    Reporteri
    15 Shkurt 2023 | 8:52
    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Fotografi nga arkivi.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina’’, ka thënë se që nga themelimi, ky institucion arsimor i lartë, u kthye në në kështjellë të dijes e rezistencës.

    Sipas tij, ku historikisht në të, studentë e profesorë së bashku, artikuluan aspirata kombëtare dhe drejt rrugës së lirisë.

    Megjithatë Krasniqi, ka shprehur kritika ndaj qeverisë për mungesë vizioni, në trajtimin e studentëve për mundësi të kufizuara të punësimit.

    Postimi i plotë:

    Sot festojmë 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, institucionit që formësoi identitetin kombëtar, shtroi rrugën akademike dhe zgjoi shpirtin liridashës të qytetarëve të Kosovës.
    UP-ja, që nga themelimi, u kthye në kështjellë të dijes e rezistencës, nga ku, historikisht, studentë e profesorë së bashku, artikuluan aspiratat tona kombëtare dhe projektuan rrugën e lirisë.

    Kur jemi vetëm dy ditë larg nga festimi i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen e madhe për të gjitha gjeneratat e profesorëve, asistentëve, studentëve dhe stafit tjetër përbërës të UP-së, për kontributin e çmueshëm drejt përmbushjes së këtij ideali.

    Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës.
    Prandaj, nëse ekziston sot një prioritet për të cilin duhet të përkushtohemi të gjithë – padyshim është rikthimi i besimit tek të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë dhe të mirëfilltë në vendin tonë.

    Në këtë drejtim, është obligim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të veprojmë dhe të angazhohemi.

    Ndërtimi i një shteti i cili krijon më shumë mundësi për përmbushjen e potencialit rinor – është i vetmi çelës për të mbajtur rininë tonë të mrekullueshme në vend – e për të cilën kemi aq shumë nevojë.

    Rinia ka qenë forca shtytëse në rrugën e lirisë dhe pavarësisë. Rinia duhet të jetë edhe energjia e cila ndërton dhe zhvillon vendin tonë.
    Së bashku mund t’ia dalim – besoni në Kosovë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!