×
  • Lajme
  • Lajme

    Blinken: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise të vështira, por përfitimet do të jenë të mëdha

    Reporteri
    15 Shkurt 2023 | 10:55

    Liderët serbë dhe kosovarë duhet të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet mes dyja vendeve, gjë që do të sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Blinken shton se përfitimet për qytetarët e të dyja vendeve do të jenë të mëdha, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Blinken këtë e bëri duke uruar Serbinë për Ditën e Shtetësisë, në një deklaratë që u lëshua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    “Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe të gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, tha Blinken ndër të të tjera në letrën e tij.

    Presioni diplomatik ndaj Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve po vazhdon. Palët tashmë kanë deklaruar se e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, gjersa është paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në Bruksel.

    Në anën tjetër ka një kërkesë urgjente e bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Madje Serbia po e kushtëzon vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut me themelimit e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Kryeministri i Kosovës ka vënë gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të mund të themelohet. Deri më tani kushtet e Kurtit nuk i kanë komentuar as nga BE-ja e as nga SHBA-ja.

    Kurti ka thënë së është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por vetëm për të biseduar për propozimin franko-gjerman.

    Ai është shprehur optimist se marrëveshje mund të ketë, por thotë se Serbia e ka kuptuar se qeveria e re në Kosovë, nuk lejon kompromise në dëm të vendit.

    “Ky takim mund të ndodhë në kontekstin e propozimit franko-gjerman. Jam i gatshëm të ulem dhe të diskutojë”.

    “Jemi në pritje të një takimi të nivelit të lartë, ta diskutojmë çështjen e propozimit evropian, unë uroj që të ketë dhe marrëveshje. Unë jam optimist që do të ketë (marrëveshje) se është shtuar përkushtimi ndërkombëtar, por me qeverisjen tonë edhe në Beograd e kanë kuptuar se nuk mund të merren vesh me mua në dëm të Kosovës”, ka deklaruar Kurti në një intervistë dy ditë më parë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!