Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të thotë një lloj shteti brenda shtetit.
Kurti tha se Asociacioni merr kompetenca të mëdha nëse formohet, pasi bëhet si një nivel i tretë i pushtetit për komunitetin serb, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Asocacioni i komunave bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës, që merr mbështetje nga Beogradi. Praktikisht, bëhet si një lloj entiteti autonom që ka lidhje vertikale me Beogradin. Do të thotë një lloj shteti brenda shtetit. Pikërisht, sikurse Republika Serbe që është në Bosnje”, deklaroi Kurti në TV Klan.
Kryeministri Kurti konsideron se duhet të merren mësimet nga Bosnja, për t’i mos përsëritur ato në Kosovë. Ai tha se Republika Serbe ia ka sabotuar shtetësinë Bosnjës, derisa vetë e ka marrë primatin e të qenit Republikë brenda saj.
“Republika Serbe e ka sabotuar shtetësinë e Bosnje-Hercegovinës. Bosnja-Hercegovina është një shtet që s’është Republikë e megjithatë e ka brenda një jo shtet që është Republikë. Edhe atje 14 komuna janë bërë bashkë në ’91-in, shpallën pavarësi, morën Kushtetutën dhe në fund njohjen ndërkombëtare. Prandaj ne duhet të nxjerrim mësimet nga Bosnja, që të mos i përsërisim në Kosovë”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për të drejtat që gëzon komuniteti serb në Kosovë, por thotë se Serbia dëshiron që t’i territorializojë këto të drejta.
“Serbët në Kosovë janë rreth 4% ndërkohë në administrim marrin rreth çerekun e territorit, teksa kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Republikës. Kanë edhe të drejtën e vetos për ligjet me rëndësi jetike. Serbia kërkon territorializimin e këtyre privilegjeve, pra nuk dëshiron më shumë të drejta për serbët por më shumë territorializim të të drejtave.”
“Qëllimi i Beogradit zyrtar është i qartë, synim i integritetit territorial dhe në anën tjetër defunksionalizim i shtetit”, tha ai.