Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi ka folur në një konferencë për media rreth raportimeve se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe nga pozita e anëtarit të Komisionit për MSA-në.
Abazi para mediave ka konfirmuar se siç ka thënë ai është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga këto dy komisione, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria dhe mendon se edhe emri i tij është në atë listë.
Por, Abazi shton se ai nuk do të jetë target i askujt për të dhënë votë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Ai po ashtu ka konfirmuar se nuk do të largohet nga grupi parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk do të largohem nga grupi parlamentar. Nuk kam as votë kundër, as largim nga VV. Nuk është brengosja tek shkarkimi im. Nëse deputetët e VV-së dhe të opozitës vendosin të më shkarkojnë, natyrisht se do e respektoj por shkarkimi duhet të vije si rezultat i analizës së punës, jo urdhrave politikë e diktateve nga vendet që nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve”, u shpreh ai. /Reporteri.net/