×
  • Lajme
  • Botë

    U nxor nga rrënojat me cigare në gojë, 60-vjeçari tregon si arriti të mbijetoj

    Reporteri
    19 Shkurt 2023 | 10:30

    Një nga të mbijetuarit e tërmeteve vdekjeprurëse të mëngjesit të 6 shkurtit në Turqi tha dje për agjencinë turke “Anadolu” se si e ruajti gjakftohtësinë, duke mbetur i bllokuar në rrënojat e një ndërtese në provincën Antijaman në Turqinë juglindore për më shumë se 56 orë.

    “Nuk e dija sa ditë kaluam nën rrënoja… Kisha duhan me vete, po dredhja një cigare dhe pija duhan”, thotë Ziya Soner Tughtekin, i cili u shpëtua me djalin e tij 56 orë pas tërmetit shkatërrues. Ai dhe djali i tij dolën të gjallë nga rrënojat, por gruaja dhe vajza e tij nuk kishin fat.

    “Në momentin e tërmetit, vajza dhe gruaja ime u përpoqën të vinin tek unë. Atyre iu shemb tavani dhe u vranë në vend”, rrëfen ai. “Djali im Denis u bllokua dhe theu brinjtë”. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga rrënojat me cigaren në gojë.

    “Kur më nxorën nga rrënojat, cigaren e kisha në gojë. Më thanë ta hidhja, por nuk e bëra sepse kështu mbeta gjallë”, shtoi ai. Nuk e hoqi as në barelën me të cilën e morën nga rrënojat.

    Kujtojmë që numri i viktimave në Turqi dhe Siri nga tërmeti ka shkuar në mbi 46 mijë. Rreth 6 000 janë raportuar në Siri, ndërsa mbi 40 mijë në Turqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!