×
  • Lajme
  • Lajme

    Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë flasin rreth kthimit në punë të zyrtarëve të suspenduar

    Reporteri
    19 Shkurt 2023 | 17:34
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.

    Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar kthimin në punë të zyrtarëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të suspenduar pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në laboratorin e Toksikologjisë.

    Genc Nimoni, shef i kabintetit të Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se bazuar në Ligjin për shërbyes publikë, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë të formuara dy komisione: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.

    “Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhet në përgjigjen e Genc Nimonit.

    Tutje, në përgjigje Ministria thekson se legjislacioni në fuqi nuk i jep kompetencë ministres apo kabinetit lidhur me rastet e tilla.

    “Të dy komisionet kanë pavarësi në vendimarrje. Siç jeni në dijeni, në rastin e zhdukjes së mostrave në laboratorin e toksikologjisë, Ministrja Haxhiu, ka njoftuar prokurorin dhe ka kërkuar nga drejtori i IML që konform ligjit dhe përgjegjësisë për të ndërmarrë veprime në lidhje me rastin” – thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu.

    “Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, si Ministri, nuk kemi asnjë kompetencë për kthimin apo mos kthimin e tyre në vendin e punës, pavarësisht që ne nuk pajtohemi me vendimin e tyre” – ka shtuar Ministria, duke uruar që Prokuroria Speciale e Kosovës sa më shpejt t’i adresojë përgjegjësit në mënyrë që ata të ndiqen penalisht.

    Në lidhje me kthimin e katër zyrtarëve të IML-së në vendin e punës, Kallxo ka kontaktuar edhe me drejtorin e Institutit, Dritor Haliti, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.

    Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

    Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në ldihje me rastin.

    Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve:

    Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,

    Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore,

    Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe

    Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore./Kallxo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!