Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “shumë optimist” se marrëveshja finale me Serbinë do të mund të arrihet këtë vit.
Këtë deklaratë, Kurti e bëri në një intervistë për mediumin francez, “France 24”, ku ai tha se është optimist për marrëveshjen mirëpo përmendi edhe dy gjëra të tjera që duhet t’i kontribuojnë këtij procesi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Mendoj se takimi i ardhshëm [në Bruksel] do të shpërfaq se sa mund të shpresojmë këtë vit. Unë jam optimist, jam shumë optimist se mund të arrihet një marrëveshje këtë vit. Kemi nevojë për përfshirje të madhe të komunitetit ndërkombëtar por në të njëjtën kohë Beogradi zyrtar duhet ta distancojë vetën si nga e kaluara, përkatësisht Millosheviqi, dhe nga e tashmja, përkatësisht presidenti despotik Putin”, deklaroi Kurti në këtë intervistë të cilën e realizoi gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Duhet ta pranoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të normalizuara, edhe pse shteti ynë është i normalizuar. Në anën tjetër, Serbia, sipas “Freedom House” nuk është shtet demokratik, ka regjim hibrid. Ne duam normalizim të plotë me qendër në njohje reciproke dhe besoj se diplomacia lëvizëse dhe takimet e nivelit të lartë, që do të ndodhin këtë vit, do të na sjellin më afër që të arrihet kjo marrëveshje, bazuar në propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania”.
Kurti tha se po vazhdon të jetë i përkushtuar dhe konstruktiv në dialogun me Serbinë, derisa theksoi se propozimi evropian siguron njohjen de-facto për Kosovën.
“Unë jam i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ në arritjen e marrëveshjes sepse koha është thelbësore në këtë. Propozimi evropian ia siguron Kosovës njohjen de-facto, dhe merr shumë paragrafe nga modeli i dy Gjermanive i vitit 1972, që çoi në ulëse brenda BE-së për të dyja shtetet”, tha kryeministri Kurti. /Reporteri.net/.