×
  • Lajme
  • Lajme

    Fakultetet e UP-së mbi 16 vjet pa bufe, ende nuk ka vendim për rihapjen e tyre

    Reporteri
    21 Shkurt 2023 | 11:37

    Autor: Erblina Krasniqi


    Rinesa Fetahit i duhet çdo ditë të dalë jashtë objektit të Fakultetit të Filologjisë për të konsumuar një çaj, kafe apo diçka tjetër. Sikur ajo, edhe të gjithë studentët, profesorët e stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po përballen me të njëjtën situatë. E gjithë kjo si pasojë e mungesës së bufesë në Fakultetet e UP-së që nga viti 2006.

    “Kemi nevojë për një bufe, pra një vend ku mund të çlodhemi dhe të pijmë apo të hajmë diçka” – thotë Rinesa Fetahi, studente e gjermanishtes.

    Prej se janë mbyllur bufetë ka pasur kërkesa për hapjen e tyre si nga studentët ashtu edhe nga menaxhmentet e fakulteteve.

    Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, thotë se ka bërë kërkesë për rihapjen e bufesë në nëntor të vitit të kaluar. Por, kjo nuk është kërkesa e vetme që ka drejtuar udhëheqjes së universitetit.

    Bërxulli thotë se më 2013 i ishte refuzuar kërkesa nga Këshilli Drejtues për rihapjen e bufesë.

    Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi, deklarohet se së fundmi kanë diskutuar për këtë çështje.

    “Është diskutuar ideja e rihapjes së bufeve nëpër fakultetet e UP-së”, tha Krasniqi.

    Ai shprehu se bufetë do të funksionojnë në kuadër të hapësirave të fakulteteve pasi të jenë
    zbatuar procedurat e prokurimit publik. Gjithashtu pohon se kanë pranuar edhe kërkesa për rihapjen e bufeve.

    “Së fundmi një kërkesë të tillë e ka pranuar Këshilli Drejtues i UP-së nga Fakulteti Filozofik” – shtoi tutje, Krasniqi.

    Ndërkohë Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, thotë se nëse UP-ja nuk
    lejon rihapjen e bufesë, së paku të sjellë aparate për kafe, çaj dhe ndonjë ushqim të lehtë.

    Ajo shton se me këto aparate edhe studentët do të kenë më pak shpenzime, sepse çmimi i
    ushqimit do të jetë më i ulët.

    “Aparatura të tilla të jep çaj, kafe me çmim më të lirë se në vetëshërbim”, tha Sejdiu Rugova.

    Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë

    Ajo gjithashtu thotë se për këto aparatura ka bërë kërkesa disa herë në ish-rektorët e kaluar, por nuk kanë lejuar një gjë të tillë.

    “Para 6 vjetëve kam kërkuar që të vendosen aparate të tilla por nuk na është lejuar”, shton tutje ajo.

    Studentët, profesorët dhe punonjësit e Fakultetit të Filologjisë shprehen se iu duhet një
    bufe dhe tregojnë për vështirësitë që po hasin në mungesë të saj.

     

    Bufetë e Fakulteteve të UP-së janë mbyllur në vitin 2006, me vendim të ish Rektorit të UP-së, Enver Hasani. Ky vendim i Rektorit ka ardhur si rezultat i të të gjeturave në raportimin e zyrës së Auditimit të MASHT-it. Me datë 14.7.2006, zyra e Auditimit të MASHT-it nëpërmjet raportit me shkrim të cilin ia ka dërguar Universitetit, ka konstatuar se Fakultetet e UP-së nuk kanë pasur kontrata të vlefshme për dhënien me qera të lokaleve që janë shfrytëzuar për bufe që nga viti 2003-2004, prandaj këto bufe kanë punuar në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore. /Reporteri.net/.

    Pjesë nga raporti ku është marrë vendimi për mbylljen e bufeve në të gjitha Fakultetet e UP-së

    *Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP. 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!