Disa ditë para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ambasadori britanik, Nicholas Abbott, ka dalur me një reagim, me ç’rast ka folur për pritshmëritë e Britanisë së Madhe nga ky takim i rëndësishëm.
Abbott ka thënë se Kosova ka një rol të rëndësishëm duke u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog në mënyrë që të sigurohet progresi për qytetarët e saj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Është po aq e rëndësishme të sigurohet një mjedis i sigurt dhe i sigurt që krijon hapësirën për një marrëveshje të qëndrueshme dhe normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Abbott në Facebook.
Tutje, ambasadori britanik tha se përmes negociatave me Serbinë, e nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova e ka mundësinë që të përparojë edhe më tepër për nga aspekti ekonomik si dhe rruga drejt strukturave euro-atlantike.
“Më 17 shkurt, si aleat i palëkundur, iu bashkuam Kosovës në festimin e 15 vjetorit të pavarësisë. 15 vjet pas pavarësisë, Kosova ka mundësinë të bëjë progres në integrimin ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e një shteti të begatë. Negociatat e suksesshme do ta krijojnë atë të ardhme”, ka përfunduar ambasadori Abbott.
I njëjti ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e saj të pakusht ndaj Ukrainës, në ballafaqimin me forcat ruse, në luftën që sot shënoi njëvjetorin e fillimit.
Me ftesë të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e dialogut me bazë propozimin evropian.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën, derisa tha se diskutime të mëtejme mbi përmbajtjen e këtij propozimi nuk do të lejohen, çka e ka çuar atë në formatin “mere ose lëre”. /Reporteri.net/.
Reagimi i plotë: