×
  • Lajme
  • Lajme

    Çitaku skeptike për propozimin evropian: Të hënën mund të nënshkruhet një status-quo e re

    Reporteri
    24 Shkurt 2023 | 22:56
    Vlora Çitaku, PDK

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur skeptike lidhur me atë se çka përfaqëson në thelb, propozimi evropian i inicuar nga BE-ja.

    Çitaku tha se këtë propozim e sheh më tepër si armëpushim mes Kosovës dhe Serbisë, në vend të një marrëveshjeje finale që në qendër e ka njohjen reciproke, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ne si opozitë jemi minimalisht të informuar lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes ngase nga ajo që kemi parë disa muaj më herët, në një dokument njëfaqësh që i është dhënë kryetarit të PDK-së për ta lexuar, ai tekst më shumë ka qenë një armëpushim, një deklaratë politike sesa një marrëveshje finale e cila në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së për RTV21.

    Ajo tha se nëse nënshkruhet të hënën në Bruksel, kjo marrëveshje do të çojë te një “status-quo” të ri, duke thënë se nuk do t’i japë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes dy palëve.

    “Do ta krijojë një status-quo të re sepse nuk i jep zgjidhje përfundimtare raportit mes Kosovës e Serbisë. Nuk ka njohje reciproke, por është një deklaratë politike në formë zotimi ku të dyja palët zotohen para ndërmjetësit ndërkombëtar që do të vazhdojnë dialogun”, u shpreh ajo. /REeporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!