Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar sërish lidhur me planin evropian që u dakordua dje ndërmjet kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë.
Çitaku ka shkruar se plani ka shumë paqartësi. Njohja nuk përmendet sipas saj, dhe thuhet që palët kanë pikëpamje të ndryshme për statusin.
“Dykuptimësi konstruktive. Shumë paqartësi.
E vetmja gjë eksplicite në marrëveshjen e mbrëmshme është që palët janë pajtuar për zbatimin e të gjitha marëveshjeve paraprake, dhe se dialogu do të vazhdojë.
Njohja nuk përmendet, në fakt në preambulë të marrëveshjes thuhet që palët kanë pikëpamje të ndryshme për statusin dhe çështje tjera fundamentale”, shkruan ajo.
Çitaku gjatë ditës së djeshme në një sërë reagimesh ka thënë se kryeministri Kurti ka pranuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu u tha edhe në një reagim të lëshuar dje nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Sipas tij, Kosova dje humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.
“Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë.
Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, shkroi ai ndër të tjera.