Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të janë 11 nene, të cilat janë miratuar vetëm verbalisht pasi pala kosovare dhe ajo serbe nuk kanë nënshkruar propozimin e BE-së.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ai që refuzoi të nënshkruante marrëveshjen, shkruan Reporteri.net.
Neni 1 i marrëveshjes, parasheh që të dy palët pajtohen do t’i njohin në mënyrë reciproke dokumentet e tyre përkatëse, simbolet kombëtare, duke përfshirë edhe pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Neni 2 thotë se të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.
Sipas pikës 3, të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mosdiskriminimi.
Tutje theksohet se në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Një nga nenet më të rëndësishme të këtij plani është neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
“Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thotë ky nen.
Neni 5 flet për integrimin drejt BE-së, dhe përmes kësaj marrëveshje palët zotohen se nuk do të bllokojnë apo të inkurajojnë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre.
Neni 6 thekson se “kjo Marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e Dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”.
Ky nen flet edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.
Ajo që ka shkaktuar paqartësi është pika 7 e këtij propozimi, ku bëhet fjalë për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Ky nen gjithashtu kërkon që palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thotë neni 7 i marrëveshjes.
Neni 8 thotë se palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.
Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9 thotë se të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, vijon neni 10.
Interpretime të shumta ka ky nen, i cili tutje flet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluar të dialogut, të cilat siç theksohet aty mbeten të vlefshme dhe detyruese për palët.
Dhe neni i 11, ai i fundit, përcakton qartë që të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.
Publikohet zyrtarisht plani evropian, këto janë 11 pikat për të cilat u dakorduan Kurti dhe Vuçiq