I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online nga Brukseli ku po merr pjesë edhe Gazeta Online Reporteri.net ka thënë se diskutimi për formimin e Asociacionit duhet të nisë menjëherë.
Escobar thotë se me marrëveshjen e arritur dje në Bruksel, beson se Kosova e ka kuptuar se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi siç thotë ai është obligim që të zbatohet.
“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët. Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha Escobar në konferencën online me gazetarët.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shpreson që marrëveshje a arritur ditën e djeshme të zbatohet nga të dyja palët, pasi siç tha ai edhe Kurti e Vuçiq u pajtuan që mos të vazhdojnë diskutimin për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
“Shpresojmë të mos përdorim shkopinj, por karota. Dhe ato janë të qarta. Jo vetëm që ato i afrohen marrëdhënies paqësore, por edhe u hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Shpresojmë që të dyja palët do të zbatojnë obligimet”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.
Escobar tha se ShBA-ja e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por nuk është pjesë e saj, e se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për ShBA-në, e theksoi edhe sot emisari amerikan në këtë konferencë online./Reporteri.net/