Drejtori i Gazetës Online Reporteri.net, Bekim Kabashi, ka komentuar qëndrimet e partive opozitare karshi dakordimit të kryeministrit Kurti dje në Bruksel, për ta pranuar propozimin evropian në dialog me Serbinë.
Sipas Kabashit, PDK dhe LDK janë “duke ia fut kot” me deklaratat e tyre për qëndrimet se Kurti evitoi njohjen e ndërsjellë dhe e fitoi Asociacionin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kabashi theksoi se dy ish-krerët e partive në fjalë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, e kanë nënshkruar Asociacionin në të kaluarën, çka e bën reagimin e PDK-së dhe LDK-së të pavend.
“Si PDK-ja, si LDK-ja kot janë t’u ia fut. Dalin thojnë Asociacioni pa njohje reciproke. Hashim Thaçi e ka nënshkru në 2013-ën Asociacionin, në 2015-ën e ka nënshkru Isa Mustafa – të dy kryetarë, njëri i PDK-së, tjetri i LDK-së. Atëherë, a ka pasë njohje reciproke? Ka pasë supozim, bindje që po shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve por s’ka pasë njohje. Njëjtë sikur tash. Pak a shumë ka qenë marrëveshje e ndërmjetme, sikur që është tani”, deklaroi Kabashi në ATV.
Sipas tij, këto dy parti do të duhej të dilnin hapurazi në përkrahje të kryeministrit Kurti për Asociacionin, sikurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai shprehi bindjen që Kurti madje as që do ta nënshkruajë themelimin e Asociacionit.
“PDK-ja e LDK-ja duhet me dalë si Ramush Haradinaj që ka dalë në këtë rast: Bone Asociacionin. Unë jam i bindun që Albini s’ka me bo Asociacionin. Me pa bo e kish nënshkru Aneksin në Bruksel dje, s’e kish lanë me ardhë me nënshkru në Shkup”, tha Kabashi. /Reporteri.net/.