Shtypi gjerman i ka kushtuar vëmendje të madhe zhvillimeve të së hënës në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Vlerësimet e rëndësisë së asaj që është arritur janë të ndryshme – nga “progresi i vogël” deri në prezantimin e një “marrëveshjeje historike”, transmeton Reporteri.net.
Në faqen e “Tageschau” të shërbimit publik ARD, mund të lexoni një reportazh nga Brukseli me titull “Kosova dhe Serbia po afrohen”. Në tekst thuhet se Vuçiq dhe Kurti kanë pranuar një plan për normalizimin e marrëdhënieve, qëllimi i të cilit, sipas Brukselit, është qarkullimi i lirë ndërkufitar dhe bashkëpunimi ekonomik.
Karakteristikat kryesore të marrëveshjes përshkruhen si më poshtë: “Ajo parasheh që personat me pasaporta, letërnjoftime dhe targa të mund të lëvizin lirshëm në Kosovë dhe Serbi”. Kjo mund të hapë mundësi të reja ekonomike dhe të tërheqë investime shtesë në Serbi dhe Kosovë. Përveç kësaj, do të nxisë tregtinë, pasi nuk do të kërkohen më certifikatat e importit dhe eksportit të kërkuara më parë.
Modeluar sipas kontratës mes dy Gjermanive
Gazeta e përditshme e Mynihut, Sueddeutsche Zeitung gjithashtu informoi lexuesit e saj se në Bruksel çështja midis Beogradit dhe Prishtinës filloi disi nga një qorrsokak: Titulli i artikullit thotë: “BE ka arritur një përparim të vogël në çështjen e Kosovës”, dhe në të thuhet: “Vetë fakti që të dy politikanët ishin ulur në të njëjtën tryezë mund të konsiderohet një sukses i diplomacisë perëndimore. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës fqinje, Albin Kurti, deri para pak kohësh nuk e humbën rastin të shprehin publikisht mosbesimin e tyre të ndërsjellë dhe të nxisin tensione në kufi. Takimi në Bruksel, i cili u zhvillua të hënën, ishte rezultat i presionit të gjatë dhe intensiv kryesisht nga Berlini dhe Parisi. Dhe ishte një sukses – madje me gjysmë zemre”.
E përjavshmja Die Zeit publikoi një reportazh me titull: “Serbia dhe Kosova duan të ‘normalizojnë’ marrëdhëniet e tyre”. Autori na kujton se baza e marrëveshjes së Brukselit është një ide e ngjashme me traktatin themelor midis dy Gjermanive: “Ideja e një traktati themelor, siç është ai midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe RDGJ-së, parashikon që çështje të tilla si njohja reciproke duhet të veçohen fillimisht në mënyrë që të dy qeveritë të mund të bisedojnë. Gjithashtu është planifikuar hapja e përfaqësive diplomatike në kryeqytete. BE-ja dhe SHBA-ja i kanë dhënë kohë Kosovës dhe Serbisë deri në mars për të lidhur një marrëveshje bazë”.
Fillimi i një qetësimi të vërtetë të një zone konflikti?
Edhe gazeta e përditshme Sueddeutsche Zeitung mban një artikull me titullin “Asgjë nuk merret si e mirëqenë” të shkruar nga gazetari Tobias Zick: “Fakti që ky takim po shkakton kaq shumë emocione tregon tashmë se sa kanë qenë Kosova dhe Serbia deri tani larg nga ‘normalizimi’ i marrëdhënieve të tyre të ndërsjella”, vëren autori.
Ai rikujton se anëtarët e Bashkimit Evropian prej kohësh nuk kanë një politikë të përbashkët në atë fushë, por se Parisi dhe Berlini tani kanë bërë përparim me një propozim të përbashkët. Propozimi, sipas autorit, kërkon shumë si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina: “Qeveria serbe duhet të njohë de fakto pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të kthejë domosdoshmërisht kundër vetes nacionalistët e vijës së ashpër në vend, si dhe partneren e saj Moskën”. Dhe Qeveria e Kosovës duhet të pajtohet me Asociacionin e Komunave Serbe në veri të vendit, një hap të cilit i frikësohet kuptohet, sepse Beogradi mund të abuzojë me një strukturë të tillë për ndikim në shtetin fqinj”.
“Evropianët dhe amerikanët, të cilët i sollën palët konfliktuale në tryezën e bisedimeve me më shumë se presion të butë, kanë një përgjegjësi të madhe: Ata duhet të sigurohen që asnjëra palë të mos pendohet më vonë për gatishmërinë e tyre për kompromis. Nëse është e nevojshme që Serbia të ndahet përgjithmonë nga Moska, Serbisë i duhet një perspektivë konkrete për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dhe Kosova ka nevojë për garanci që veriu i Kosovës nuk do të bëhet zonë e separatizmit të institucionalizuar serb, si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”.
“Megjithatë, marrëveshja mund të hyjë në histori si fillimi i një qetësimi real të një zone konflikti në Evropën Juglindore. Kjo do të vërtetonte se, kur është e nevojshme, BE-ja mund të zhvillojë politikë të jashtme. Nëse këto dy vende arrijnë një marrëveshje, kjo do të ndihmojë edhe Evropën”, përfundon Tobias Zick në komentin e tij për Zeitung.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/