×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, Specialja bën publik emrat e disa viktimave që pretendohet se janë vrarë e zhdukur

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 10:34

    Më 27 shkurt 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

    Në Komunën e Drenasit, si viktima të vrasjes përmenden: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha. Tutje, përmendet edhe Ajet Gashi.

    Në Komunën e Lipjanit, si viktima të vrasjes përmenden: Bojan Cvetkoviq, Zarko Filipoviq, Dragoljub Tanaskoviq, Zivota Todoroviq, Dragan Vuçetiviq.

    Kurse, në Komunën e Podujevës si viktimë përmedet Osman Sinani, derisa në Komunën e Rahovecit përmendet Cvetko Pleviq, e po ashtu edhe Hysen Krasniqi. Në Suharekë, si viktima përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli.

    “Betimi për Drejtësi” ju sjellë më poshtë edhe emrat e tjerë të viktimave të vrasjeve të pretenduara që janë bërë publik:

    Si viktima të zhdukjes me forcë në Ferizaj përmenden: Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci dhe Nezir Topojani. Kurse, në Suharekë, përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli. Ndërsa, në Gjakovë përmendet Pal Krasniqi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!