Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas zhvillimeve të fundit që ndodhën të hënën në Bruksel, në kuadër të bisedimeve për të çuar përpara dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Hovenier u ndal te pritshmëritë që ShBA kanë lidhur me takimet e ardhshme që do të zhvillohen mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, pavarësisht se deklaroi se BE-ja “i ka punët në dorë”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Ambasadori Hovenier tha se, me sa ka marrë vesh, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, planifikon që hapat e ardhshëm drejt planit të zbatimit të marrëveshjes do t’i trajtojë me urgjencë.
“E kam të vështirë të them saktësisht se çka na pret, por do t’i them disa gjëra. Shtetet e Bashkuara natyrisht i mbështesin këto negociata, por natyrisht këto janë negociata të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe i takon përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, që të përcaktojë ritmin dhe fushëveprimin e atyre negociatave. Sa e kam kuptuar, ai dëshiron me zell që të ecë përpara me një lloj urgjence, gjë që e mbështesim, për të përfunduar një plan zbatimi, një aneks, që do t’i marrë këto 11 pika të marrëveshjes dhe të hartojnë një plan se si do të zbatohen ato”, deklaroi Hovenier në Debat Plus në RTV Dukagjini.
I njëjti theksoi se nuk pret që negociatat të jenë të lehta, megjithatë rikonfirmoi se ShBA-të do ta vazhdojnë angazhimin e tyre në mënyrë që të arrihet mirëkuptim mes të dy palëve në dialog.
“Pres që këto negociata nuk do të jenë të lehta, por gjithashtu dëshiroj të them se Shtetet e Bashkuara do të jenë po aq të përfshira sa kemi qenë deri tani në proces duke i mbështetur të dy vendet për të arritur një mirëkuptim të përbashkët se cila është mënyra më e mirë për t’u takuar, cila është mënyra më e mirë për të bërë gjërat për të cilat janë pajtuar tani sipas propozimit të BE-së”, tha ambasadori amerikan. /Reporteri.net/.