Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nuk e sheh marrëveshjen e arritur mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, si marrëveshje finale.
Referuar propozimit evropian, Hovenier tha se ky është më shumë si një “pako e përkohshme” për të ecur përpara në dialog, por që qëllimi përfundimtar është tjetër, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Dua të them edhe se ky nuk është fundi; kjo nuk është marrëveshja e fundit; nuk mund të jetë. Kjo është pako e përkohshme. Kjo është lëvizje e rëndësishme përpara; sigurisht që e bën situatën shumë më të favorshme”, deklaroi Hovenier në Debat Plus të RTV Dukagjinit.
Sipas Hovenier, ShBA dhe BE synojnë që, përmes dialogut, në fund të arrihet njohja e ndërsjellë. Këtë, tha ai, e shohin si qëllimin afatgjatë.
“Por, qëllimi ynë afatgjatë, qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara, mbetet i njëjtë dhe presidenti Biden dhe sekretari Blinken iu referuan atij sërish në mesazhet e tyre për Ditën e Pavarësisë hiç më larg se muajin e shkuar se përfundimisht e shohim këtë proces duke rezultuar në njohje të ndërsjellë. Nuk po flasim që ajo të ketë në qendër njohjen eventuale të ndërsjellë sepse ajo reflekton realitetin e gjendjes. Por, përkushtimi ynë ndaj kësaj assesi nuk është zbehur apo zvogëluar”, tha Hovenier.
Biden në letrën për Vjosa Osmanin: Qëllim eventual i marrëveshjes, njohja reciproke me Serbinë
Për më tepër, ambasadori amerikan ka shtuar se rrallëherë është parë ky nivel i përkrahjes ndërkombëtare që po i bëhet Kosovës, në raport me raste të tjera.
Ndër to, ai ka përmendur përfshirjen të madhe të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe ShBA-në e BE-në.
“Pra, në bashkësinë ndërkombëtare rrallë ndodh kur ke një situatë ku kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, presidenti i Italisë, personalisht investojnë siç po ndodh tani. Ata po i shkruajnë letër kryeministrit para negociatave me kërkesa specifike. Apo që zyrtarët e nivelit shumë të lartë të SHBA-së angazhohen. Apo që i tërë Bashkimi Evropian ka lëshuar – si pjesë të Përmbledhjes së konkluzioneve – pika specifike në mbështetje të saj”. /Reporteri.net/.