×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi: Marrëveshja në Bruksel, pikë kthese në dialog

    Reporteri
    03 Mars 2023 | 12:53

    Fakti që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar në Bruksel më 27 shkurt se do të punojnë për zbatimin e planit evropian, Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, e sheh si një pikë kthese në dialog.

    “Është thelbësore që zbatimi i propozimit të fillojë pa vonesë dhe me mirëbesim”, tha Jashari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    Zyrat ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë që nga viti 2013. Zyrat u krijuan në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për të lehtësuar zbatimin e saj.

    Ato janë të vendosura në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe Prishtinë.

    Që nga viti 2013, Dejan Paviqeviq mban pozitën e oficerit ndërlidhës të Serbisë në Kosovë.

    Jetish Jashari vlerësoi se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve paraqet bazë solide për zgjidhjen e shumicës së çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Ai pret që dialogu të përfundojë me njohje reciproke.

    Plani për normalizimin e marrëdhënieve njihet në publik si propozimi evropian dhe ka marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Ai përcakton marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!