Kreu i opozitës në Shqipëri Lulzim Basha, gjatë takimit me strukturat drejtuese të PD-së në Maliq, tha se kryeministri Rama është përgjegjës “për rritjen e papunësisë dhe varfërisë nëpërmjet politikës së tij të grabitjes, vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin”.
“Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët. Paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe klientët e Ramës, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur”, tha Basha.
Basha tha se kryeministri Rama është artist i mashtrimit.
“Edi Rama i shpërfill shqiptarët, dhunon të pambrojturit e të varfrit dhe u shërben të fortëve dhe oligarkëve. Ai është arrogant me njerëzit e thjeshtë, me intelektualët, me artistët, por është i përulur para kriminelëve dhe oligarkëve. Çdo gjë që ka premtuar, ka qenë mashtrim, pasi qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët, në shërbim të tij dhe oligarkëve”, deklaroi Basha.