Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet të shkojë e vetme në zgjedhje. Pas kësaj përballje me qytetarët, partia e Ramush Haradinajt partner të natyrshëm duhet ta shohë vetëm LDK-në. Kështu vlerëson anëtari i kryesisë së AAK-së Anton Berisha.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, thotë se partia e Ramush Haradinajt duhet të shkojë e vetme në zgjedhje.
“Unë mendoj se AAK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje. Kryeministri ka dhënë dorëheqje, dhe ka kërku që të ketë zgjedhje, do të thotë të verifikohemi. Mendoj se pas zgjedhjeve atëherë ne mund të shqyrtojmë koalicionet të cilat do të jenë produkt i vetë rezultatit”, tha Berisha në RTV Dukagjini.
Sipas tij, AAK-ja tek pas zgjedhjeve, duke besuar se do të dalë partia e parë, duhet të gjejë partner për krijimin e Qeverisë. E të përshtatshëm e sheh vetëm LDK-në.
“Mendoj që, koalicioni me i natyrshëm dhe i cili ka funksionuar pas luftës më së miri është AAK-LDK. Është koalicioni më stabil”, thotë Anton Berisha.
Por se a synon AAK-ja ta ketë sërish kryeministrin, sipas tij varet nga rezultati i zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, përveç dallimeve të mëdha, siç thotë ai, në përmbajtje dhe në mënyrën e trajtimit institucional, Anton Berisha konsideron se AAK-ja nuk duhet të bashkëpunojë më tutje me PDK-në dhe AKR-në.
“Mendoj që PDK-ja dhe AKR-ja kanë qenë gjatë në pushtet. AKR-ja një strukturë e paqartë politike, ndërsa PDK-ja një strukture e etablume që është që 10 vjet në pushtet”, tha Berisha gjatë intervistës.
https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/876951262680435/