Autor: Linda Ibrahimaj
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë të mos ndryshojnë qëndrim edhe pas deklaratës së fundit të ShBA-së, lidhur me qëndrimet e tyre në kundërshtimin e propozimit evropian, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së sot gjatë ditës në takim me ambsadorin francez, Olivier Guerot, ka shprehur sërish rezervat e tij për prozpoimin e BE-së.
Sipas Krasniqit, duke qenë se mungon njohja e ndërsjellë, PDK ka rezervat e saj lidhur me marrëveshjen e prezantuar.
Në anën tjetër, po me qëndrim kundër del të jetë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në vizitën e tij në Paris, ku u prit në pallatin Elysee nga Këshilltarja e presidentit Macron, Isabelle Dumont, ai tha se duhet të arrihet një marrëveshje e cila në qendër ka njohjen.
Dy ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën të shqetësuara lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Gazetën Online Reporteri.net, se kundërshtimet e PDK-së dhe LDK-së nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane për Reporteri.net.
Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së, ndërsa takimi i radhës pritet të zhvillohet më 18 mars në Maqedonin e Veriut në Ohër.