Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka komentuar menaxhimin e veriut të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se atje nuk ka fare kushtetushmëri.
Sipas Selmanajt, fati i qytetarëve serbë në veri është në dorë të grupeve kriminale, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Situata se si është menaxhuar veriu i Kosovës me Albin Kurtin, pasi sot nuk kemi kushtetutshmëri fare atje, atje s’ka shtet Kosova hiç fare. Atje fati i qytetarëve serbe është në dorë të grupeve kriminale, në dorë të maskave, në dorë te njerëzve pa targa, me targa e kështu me radhë”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Madje, deputeti tha se situata e tillë në veri është si pasojë e sjelljeve të Qeverisë Kurti, dhe se ndërkombëtarët e kanë parë degradimin që po ndodh atje. Rrjedhimisht, tha Selmanaj, ata janë angazhuar fuqishëm për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
“Sjelljet unilaterale të njëanshme të Qeverisë Kurti e kanë sjellë situatën në Veri ashtu që më pas sipas vlerësimit tim pozicioni i Kosovës ka degraduar në negociata dhe kam përshtypjen që edhe miqtë tanë ndërkombëtar duke parë degradimin e madh që po i bëhej Kosovës në raport me dialogun, sikur thanë që “hej merreni këtë marrëveshje, edhe pse ka shumë të panjohura, ndaleni degradimin”. Nga përpjekja për një marrëveshje finale, nga përpjekja për ta mbyllur problemin me Serbinë, e kthyen në një situatë ku është një marrëveshje bazë”, ka thënë tutje ai. /Reporteri.net/.