×
  • Lajme
  • Lajme

    Morën kritika nga ShBA-të, Selmanaj: LDK-ja nuk është kundër Asociacionit

    Reporteri
    08 Mars 2023 | 23:00
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Fotografi nga arkivi.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se, sipas tij, nuk janë kundër formimit të tij.

    Ky reagim i deputetit opozitar vjen pas deklaratës së ShBA-ve, ku ata shprehën shqetësim lidhur me qëndrimet e opozitës karshi propozimit evropian, që në përmbajtje ka edhe Asociacionin, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Nuk është se LDK-ja ka ndërruar qëndrimin për çështjen e Asociacionit. LDK-ja nuk është kundër Asociacionit, LDK-ja është që çështja e dialogut të jetë çështje prioritare në raport me agjendën tonë të fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe respektimin e marrëveshjeve të gjithave që i kanë nënshkruar Qeveritë e Kosovës”, ka deklaruar ai në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

    Po ashtu, ai ka thënë se partia e tij ka shumë pikëpyetje në lidhje me propozimin e Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, ambasada amerikane në Kosovë deklaroi se janë të shqetësuar me qëndrimet e opozitës karshi propozimit evropian, që të paktën gojarisht u pranua si bazë për diskutime të mëtejshme në dialogun Kosovë-Serbi.

    Nga Ambasada thanë se komentet e opozitarëve nuk përkojnë me ato të ShBA-ve.

    “Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

    Mirëpo, komente të njëjta si kjo nga LDK-ja, nuk janë parë nga partia tjetër që i doli kundër propozimit, Partia Demokratike e Kosovës.

    Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së sot gjatë ditës në takim me ambsadorin francez, Olivier Guerot, ka shprehur sërish rezervat e tij për propozimin e BE-së.
    Sipas Krasniqit, duke qenë se mungon njohja e ndërsjellë, PDK ka rezervat e saj lidhur me marrëveshjen e prezantuar.

    “Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.

    Në deklaratën e lëshuar për gazetën online Reporteri.net, theksohet se ShBA e ka bërë të qartë se mbështet Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”, thotë deklarata. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!