×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nuk vi në Kuvend për mëditje e as për rrogë”, vazhdon përplasja e Reshitajt me Konjufcën

    Reporteri
    09 Mars 2023 | 11:32

    Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës lidhur me atë çfarë ndodhi ditën e djeshme, ku Konjufca kërkoi që asaj t’i hiqet meditja, pasi siç tha ai vetëm ishte futur në sallë për të nënshkruar dhe ishte larguar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Reshitaj u shpreh se Konjufca e tha një të pavërtetë dje, dhe se sipas saj ai derdhi gjithë mllefin mbi të pikërisht në ditën e veçantë të grave.

    “Deklarata e djeshme e kryeparlamentarit ishte emocionale. Duke mbyll seancën me një të pavërtetë të thënë që paskam qëndruar disa sekonda në Kuvend. Disa deputetë të opozitës nuk i paskan treguar që paskan ndenjur sa unë. Gjithë mllefin vendosi ta derdhte mbi emrin tim dhe mbi mua, pikërisht në ditën më të veçantë të grave”

    Reshitaj theksoi se ajo është që vendos për vendimet e saj politike, nëse të qëndroj në Kuvend, dhe kur ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa shtoi se ajo nuk është deputete e mëditjeve, pasi për rrogë ajo tha se nuk vjen në Kuvend.

    “Unë vendos politikisht për vendimet, a të qendroj dhe kur. Kur kam qëndruar dikur, që minutat kanë qenë aq të rëndësishëm, nuk ju ka penguar. Largoni këto defekte dhe anomali që janë prezente në këtë Kuvend. Nuk jam unë e mëditjeve, as për mëditje e as për rroge nuk vi në Kuvend. Jam këtu për popullin, për ata që më kanë besuar e votuar, nuk ke të drejtë të më ofendosh”, tha Reshitaj.

    Por, e shkurtër ka qenë kundërpërgjigjja e Glauk Konjufcës i cili tha se deputetja Reshitaj ditën e djeshme e kishte tepruar.

    “Rrallë bëj qortime publike, por ato i bëj kur ja teprojnë siç bëtë ju dje”, tha Konjufca./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!